


Ekspozita “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar”, rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer ndërinstitucional, u çel në 13 Qershor në Musée des Beaux-Arts , në Chambéry, Francë dhe do të qëndrojë e hapur deri në dt. 15 Nëntor 2026.
Ekspozita është konceptuar si një udhëtim nëpër botën ikonografike shqiptare ndër shekuj. Ajo përfshin 49 vepra të përzgjedhura, ikona – të cilat përfaqësojnë periudha dhe qendra të ndryshme artistike, nga shekulli XIV deri në fillim të shekullit XX. Në këtë përzgjedhje krahas ikonave me vlera të larta artistike të mjeshtërve anonimë. Qëndrojnë dhe veprat të autorëve të njohur si Onufri, Kostandin Shpataraku, Kostandin Jeromonaku, si dhe vëllezërit piktorë nga Korça, Kostandin dhe Athanas, Vangjel Zengo dhe vajzat e tij, dhe shumë të tjerë,
Përtej funksionit të tyre fillestar liturgjik, këto ikona përbëjnë sot një burim të vyer për të kuptuar zhvillimin e artit figurativ, teknikat piktorike, ndikimet kulturore dhe stilistike, si dhe jetën e përditshme, veshjet dhe traditat e kohës. Ato pasqyrojnë një univers simbolik të ndërtuar mbi rregulla të rrepta kanonike, por njëkohësisht zbulojnë individualitetin dhe mjeshtërinë krijuese të artistëve.
Kjo ekspozitë ka për qëllim daljen dhe njohjen publike në një kontekst ndërkombëtar, duke i dhënë mundësi kësaj trashëgimie të prezantohet përtej kufijve kombëtarë. Bashkëpunimi me Francën, si një nga vendet më artdashëse të BE—krijon një mundësi të çmuar për të shpalosur kulturën tonë, për të prezantuar koleksionin e jashtëzakonshëm të muzeut dhe për të njohur publikun francez me vlerat, veçantinë dhe pasurinë e artit ikonografik shqiptar.
Kjo ekspozitë ka për qëllim të ftojë dhe të prezantojë, jo vetëm vlerat artistike dhe historike të koleksionit, por edhe një filozofi jete dhe një histori mbijetese, ku arti, besimi dhe identiteti ndërthuren në mënyrë të pandashme. Nëpërmjet këtyre veprave, vizitori ftohet të eksplorojë një botë ku hyjnorja dhe tokësorja bashkëjetojnë, duke dëshmuar fuqinë e artit për të kapërcyer kohën dhe sfidat e historisë.
Këto ikona kanë udhëtuar nga Shqipëria në Francë jo vetëm si objekte muzeale, por si bartëse të historisë, kujtesës dhe identitetit të një populli. Ato na kujtojnë se trashëgimia kulturore nuk i përket vetëm një vendi, por është pjesë e pasurisë së përbashkët të njerëzimit.
Fjoralba Prifti
Drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë, Shqipëri
Nicolas Bousquet
Drejtor i Muzeut të Arteve të Bukura, Chambery, Francë
Marie Clemente
Shefe e projektit të ekspozitës, Muzeu i Arteve të Bukura, Chambery, Francë
Genci Ilia Proko
Shef i Departamentit të restaurimit dhe konservimit, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Korçë, Shqipëri
Flavio Bonucelli
Skenograf, Francë
Wandrille Potez
Fotograf, Francë
Jean- Arnault Dérens
Historian dhe kryeredaktor i “Le Courrier des Balkans” Francë
Maximilian Durand
Historian arti, Drejtor i departamentit të Arteve të Bizantit dhe të Krishtërimit të Lindjes në Muzeun e Luvrit, Paris, Francë
Ioannis Vitaliotis
Studiues i asociuar pranë Qendrës së Kërkimeve për Artin Bizantin dhe Pasbizantin (KEBMT), Akademisë së Athinës
Mikel Temo
Drejtues dhe profesor i dep. të pikturës monumentale dhe artin publik në Universitetin e Arteve të Bukura, Tiranë
Konstantinos Giakoumis
Profesor i Historisë, Artit dhe Didaktikës, Kolegji universitar Logos, Tiranë.
Ahilino Palushi
Doktor i Shkencave në arkeologji dhe trashëgimi kulturore në Universitetin e Tiranës